Вы находитесь на странице: 1из 2

Demokratizimi në Kosovë: Proces i mundshëm apo i mundimshëm?

Dr.Mag.Bekim Baliqi

Nuk besoj që ka ndonjë vend në botë e cila në proporcion me numrin e banorëve, ka aq shumë
parti demokratike, së paku sa i përket emërtimit të tyre nominal, sesa Kosova. Por realiteti
politik këtu, demonstron një nivel jo të kënaqshëm demokratik, si ne tërë sistemin politik
ashtu edhe brenda vet subjekteve politike. Arsyet për këtë deficit demokratik janë të shumta
dhe te ndryshme, prej mungesës së një tradite më të gjerë institucionale, edukimit politik,
liderizmit, nepotizmit e deri te tek një pamundësi e emancipimit te udhëheqësve partiak për
një mendësi më kritike dhe paaftësi për konkurrence të shëndosh profesionale e intelektuale
brenda vet partive politike.

Dikush, mund te pohoj se Kosova ka nevoje për një profilizim të spektrit politik. Bile se kjo
do ti kontribuoj demokratizimit të vendit. Por, ne fakt skenës tone politike nuk i duhet aq
shume një dikotomi e majtë dhe e djathtë pa ndonjë dallim substancial e konceptual, sa i duhet
një dinamizëm dhe konkurrencë idesh, vlerash, vizionesh e konceptesh politike, ndërmjet asaj
qe me këtë rast, mund të e quajmë forca politike progresive dhe aso konservative. Bile as kjo
nuk do te sjell asgjë nëse është vetëm retorikë e thatë paraelektorale, pa qene e dukshme dhe e
prekshme si një stil i qeverisjes ndryshe, si një kulturë e re politike. Përndryshe, politika
ndryshe nënkupton të qenurit me afër qytetarit dhe në shërbim të qytetarit, edhe atë larg
kamerave televizive. Reformat shume shpesh të proklamuara, nuk bëhen dot pa bërë asnjë
zëvendësim të akterëve të konsumuar politik, si dhe pa e ndërruar qasjen ndaj çështjeve jetike
për shoqërinë. Në fakt, para se të reformohen vërtetë partitë politike me këtë (re)formë
ambivalente, ato duhet fillimisht të transformohen respektivisht të demokratizohen.
“Reformimi” i institucioneve në Kosovë është një histori që nuk i duket fundi në horizont.
Rastet si i Arsimit të Lartë, Gjyqësorit, Shëndetësisë, Administrimit etj., ku termi reformë
nuk mungon asnjëherë nga fjalori politik, por që në esencë me zhvillime dhe avancime në
praktike s´po rezultojnë aspak të suksesshme, flet më mirë se çdo gjë tjetër se jo kompetenca
dhe mbyllja hermetike qon në dështim të pashmangshëm.

Qytetarit të Kosovës, sot dhe nesër në zgjedhje, pak e hiç do ti sjell dobi kahja formale
ideologjike, vetemërtimi dhe shpërndarja ceremoniale e librezave partiake, por më shumë do
ti interesoj platforma politike- oferta, me te cilën jeta e tij do të mund të përmirësohej
dukshëm. Në trendët politike kudo në botë, dikotomia e majtë dhe e djathtë si dhe anëtarësia e
përjetshme është dukuri e tejkaluar. Madje në literaturën shkencore kjo ndarje klasike e
spektrit brenda sistemeve politike, ka kohë që trajtohet si një ikonë e së kaluarës dhe çështje
që në shekullin tonë nuk përkon më me realitetin. Paramendoni kancelaren gjermane Angela
Merkel duke brohoritur për qëndrimet e saja djathtiste, apo kryeministrin e dikurshëm britanik
Tony Blair duke vrapuar pas votës së majtë! Në fund të fundit, me çka në të vërtetë do të
dallonin politikat e djathtistëve apo majtistëve në Kosovë?

Të ballafaquar me probleme të rënda ekonomike, sociale dhe politike, tentativat për orientime
sipërfaqësore ideologjike, pa ofruar rrugëdalje të mirëfilltë nga kjo krizë e thellë, mund të
konsiderohen si tallje me demokracinë. Ajo me çka duhet pasuruar skenën politike këtu, janë
para së gjithash përgjigjet konkrete për uljen e papunësisë, planet e zhvillimit ekonomik,
urbanistik si dhe strategjitë e zgjidhjeve të problemeve të shumta që preokupojnë popullin.
Përndryshe, nëse vazhdohet me inskenime mediatike, demagogji folkloristike dhe me avazin e
deritashëm, votuesi i arsyeshëm më parë do të ikë nga kutia e votimit se të ndahet në “ekipin”
e majtë apo të djathtë. Kurse bojkoti i zgjedhjeve është përherë një apel për demokracinë, një
revoltë që aspak nuk i kontribuon demokracisë. Prandaj iu mbetet subjekteve politike që të
reflektojnë mire se me kë, si dhe me çka do të meritojnë përkrahjen e elektoratit dhe
votëbesimin e ardhshëm. Sa me herët që të nxjerrët ky mësim, aq më mirë do të jetë edhe
për Kosovën edhe për demokratizimin e mëtutjeshëm. Kjo është edhe imperativ i kohës dhe
domosdoshmëri që kërkon shoqëria jonë. Ngase ky proces ndoshta është i mundimshëm, por
gjithsesi i mundshëm.

Вам также может понравиться