Вы находитесь на странице: 1из 6

Dashuria -ilaçi më i fortë ndaj autizmit

Biortina Mëhilli
Mësuese e arsimit parashkollor në kopshtin e fëmijëve Divjakë

Abstrakt
Autizmi njihet si çrregullim neurobiologjik që veçohet me vështirësi në komunikim, ndërveprim
shoqëror dhe sjellje të përsëritura. Simptomat fillojnë të shfaqen para moshës 2-vjeçare dhe shkalla
e dëmtimit të këtyre tre fushave dallon nga individi në individ. Autizmi përkufizohet si një çrregullim
që karakterizohet nga:

-dëmtim cilësor i marrëdhënieve sociale;

-dëmtim cilësor i komunikimit;

-karakter të kufizuar dhe stereotip të sjelljes.

Egzistojnë dy lloje të autizmit:

1-Sindromi i Apsbergut.

2-Sindromi i Kanerit.

-Sindromi i Apsbergut dallohet nga një formë e lehtë e simptomave dhe mundësitë për shërim janë
më të mëdha.

-Sindromi i Kanerit veçohet nga simptoma shumë të rënda të autizmit dhe mundësia e shërimit
është minimale. Ka shumë rëndësi diagnostikimi i hershëm i autizmit me qëllim marrjen e masave
përkatëse mjekësore.

Shkaktarët e kësaj patologjie

Deri tani nuk është identifikuar ndonjë shkak i vetëm për autizmin por në përgjithësi pranohet se
shkaktohet nga probleme të strukturës ose funksionimit të trurit. Studiuesit po hulumtojnë një
numër të madh teorish ku përfshihet:

a-lidhja me trashëgiminë,

b-probleme mjeksore ose gjenetike,

c-faktorë mjedisore (si psh:ndotja e mjedisit).


Në shumë familje duket se po shfaqen vecori të autizmit apo të rregullimeve të tjera të ngjashme
duke mbështetur kështu hipotezën e bazave gjenetike të këtij çrregullimi. Por ka shumë raste kur
asnjë prej të afërmve nuk ka shfaqur vështirësi të ngjashme me parë. Të tjerë studiues po
hulumtojnë probleme që lidhen me shtatzaninë si dhe faktore të tjerë mjedisore, si infeksionet
virale dhe ekspozimi ndaj lëndëve kimike në mjedis. Autizmi ka tendencë të shfaqet më shpesh në
individë që kanë kushte të caktuara shëndetësore si: sindromi fraxhil, rubeola, fenilketonuri e
patrajtuar etj. Duke lënë shkencën e mjeksisë në hulumtime të vazhdueshme dhe duke i uruar
suksese të mëtejshme në gjetjen e shkaqeve të autizmit, le të merremi me trajtimin në drejtim të
shërimit nisur nga praktikat reale të kësaj sëmundjeje.

Identifikimi i fëmijëve me autizëm

Diagnostikimi i fëmijëve me autizëm sikurse dhe i aftësive të tjera të kufizuara (sic janë ato
intelektuale) kryhet nga një ekip shumë disiplinor. Ky ekip pas një proçesi të plotë e të gjerë
vlerësimi konstaton se fëmija shfaq simptoma të autizmit kur ai paraqet zhvillim jo normal në
fushën e zhvillimit gjuhësor , konjitiv dhe social përpara moshë 3-vjecare.

Disa nga sjelljet dalluese të autizmit janë:

-aftësi e reduktuar në nxënie,

-mungesë interesi në krijimin e marrëdhënieve me të tjerët apo në krijimin e lidhjeve emocionale,

-shmangie e kontaktit me sy,

-mungesë imagjinatë dhe inisiativë,

-rezistencë për të ndryshuar rutinat e ditës,

-ndjeshmëri e tepruar ndaj stimujve mjedisorë (si psh zhurmat e larta ,dritat e forta). Disa fëmijë me
autizëm të lehtë janë normal në shumë shprehje të sjelljes , ndërkohë që të tjerë në nivele më të
rënda funksionojnë në një nivel shumë të reduktuar.

Disa fëmijë me shkallë të rëndë të autizmit shpesh ulen për orë të tëra duke shfaqur sjellje të
pazakonta , të përsëritura të njohura si stereotipe , disa prej tyre shfaqin sjellje vetdëmtues si
kafshimi i vetes.

Fëmijët autikë janë identifikuar në të gjithë botën ,ç’ka tregon se kjo aftësi e kufizuar nuk ka lidhje
me kultura . Pas identifikimit të fëmijëve autike me të gjitha nivelet e inteligjencës rreth 75%e
fëmijëve kanë koefiçient inteligjence nën 70 dhe për këtë arsye kanë nevojë për arsim special
intesiv si dhe menaxhim të sjelljes.

Diagnoza e autizmit nuk ndryshon në veçantinë e një individi . Në vendin tonë diagnostikimi kryhet
nga një ekip i gjerë profesionistash në përbërjen e të cilit bëjnë pjesë mjekë të specialiteteve të
ndryshme si : pediater, psikiater, neurologë,psikologë , terapiste etj. Një ndër shenjat e para
parashikuese të autizmit është vonesa e theksuar në zhvillimin gjuhësor gjatë viteve të para të jetës
.Kjo vonesë në gjuhë shpesh lidhet me një koeficient inteligjencë të ulët. Për ketë arsye cdo femijë
i moshës parashkollore me vonesë në gjuhë duhet të vlerësohet për shenja të mundshme të
autizmit .

Nëse mësuesi dallon shenja të tilla duhet të konsultohet me komisionin e kopshtit për të dalë në
rekomandimet e nevojshme për prindërit.

Karakteristikat e fëmijëve autikë

Të gjithë fëmijët autikë kanë vështirësi të ndjeshme në marrëdhëniet sociale.

Shumë fëmijë autikë janë rezistentë ndaj kontaktit me njerëzit dhe marrëdhënieve sociale . Ata
shpesh nuk të shohin në sy madje duken edhe të painteresuar për të hyrë në marrëdhënie më të
tjerët. Një fëmijë autik mund të mos i shfrytëzojë këto raste për ndërveprim personal. Këta fëmijë e
kanë të vështirë të kuptojnë bashkëpunimin me të tjerët, duke biseduar për gjëra të ndryshme
edhe nëse atyre mund të mos u pëlqejë kjo mënyrë por ato janë pjesë e marrëdhënies sociale.

Arsyet pse këta fëmijë përjetojnë vështirësi në marrëdhëniet sociale janë edhe sfidat me të cilat
përballen në përdorimin e komunikimit verbal dhe atij jo verbal.

Këta fëmijë në përgjithësi kanë një zhvillim gjuhësor të vonuar por edhe nëse kanë aftësi të mira
gjuhë, kanë vështirësi në mbajtjen gjatë të bisedës me një tjetër.

Disa prej tyre kanë edhe ekolali në të folur, që do të thotë përsërisin atë që thonë të tjerët në
vend që të prodhojnë shprehje origjinale dhe në përshtatje me situatën.

Karakteristikë tjetër e fëmijëve autike është shfaqja e interesit për një numër të kufizuar gjërash
psh , një fëmijë i pëlqen televizori ndërkohë që të gjitha gjërat e tjera i përjashton .Ata mund të
mërziten e të acarohen në çdo çështje ose aktivitet tjeter, nëse ai nuk lidhet me fushën që përbën
interes për të .

Specifike e këtyre fëmijëve është përballimi i stresit. Zhurmat apo erat nëpër klase mund të jenë
shqetësuese për t’u përballuar nga këta fëmijë dhe stresuese. Shpesh ata i përgjigjen stresit duke
rrotulluar një objekt pa pushim ose të tundin krahët.

Të drejta e fëmijëve autikë

2 Prilli është Dita Botërore e Autizmit.

Nuk mjafton një ditë e as një muaj që t’u kushtohet vëmendja e duhur personave autike.

Ku janë të drejtat dhe mundësitë e fëmijëve autike?

Përkrahja institucionale është minimale kështu që e gjithë barra u mbetet vetëm prindërve të
këtyre fëmijëve.

Në arsimin parashkollor akoma nuk ka një program , projekt konkret për kujdesin individual ndaj
këtyre fëmijëve .
Mësuesit kanë informacion por jo në nivelin e duhur , ndërkohë që një psikologe për të ndihmuar
prindërit nuk mund të arrijë sukses pasi ka 1500-2000 nxënës në edukim.

Këto terapi janë shumë të nevojshme për fëmijët autikë në mënyrë që të përmirësohen aftësitë e
tyre intelektuale dhe motorike por janë shumë të kushtueshme . Ato familje që përballen me këto
vështirësi e dinë sa duhet të sforcohen që t’i sigurojnë fëmijës së tyre të gjitha këto shërbime .

Personat me autizëm kanë nevojë për dashuri dhe pranim por kanë gjithashtu shumë nevojë për
përkrahje konkrete që të mund të përmirësojnë aftësitë e tyre në mënyrë që të jenë pjesë e
shoqërisë.

Puna me fëmijët autikë

Terapistëve , prindërve apo edukatoreve që duhet të punojnë me këta fëmijë u duhet të bëjnë një
studim të thellë që ka të bëjë me njohjen e të gjitha pjesëve të pazllit (misterit) të njohjes së një
fëmije autik.Pa ketë njohje është diskriminim dhe tallje të thuash që po punoj me një fëmijë autik,
pa le të pretendosh se po arrin suksese.

Sa kohë duhet për këtë njohje?

Një ditë, një javë , një muaj?

Mbase edhe më shumë se kaq pasi me njohje unë kuptoj jo thjesht njohjen e dobësive apo
difiçiteve të aftësive të fëmijës.Njohje do të thotë të gjesh pikat e dobëta ku do të aplikohen të
gjitha strategjitë dhe metodat për të punuar me fëmijën që do të thotë të krijosh kushtet për një
klimë ku të dy palët të gjenden ngrohtë dhe rehatshëm , pra gjetja e çelesave që do të përdoren
gjatë terapisë, ku lodhja stresi, zhurmat , përplasjet me njëri –tjetrin janë gjithmonë të pranishme.
Këta fëmijë diktohen shpesh nga sjelljet agresive kur u merret lodra e tyre e preferuar kur nuk
munden të artikulojnë atë që u kërkojnë .Ata sillen në mënyrë agresive edhe kur kanë dhembje në
trup por që nuk mund t’a shprehin me fjalë.

Ashtu si edukatoret, terapistët mundohen të gjejnë gjuhën, metodat, strategjitë e punës me ta


edhe ata vete zhvillojnë strategjitë e tyre për të komunikuar me njerëzit përreth.Shpesh sjelljet
agresive të tyre janë edhe të llastuarit pasi ata janë shumë të dashur dhe me dashurinë e tyre ata
bëjnë për vete jo vetëm prindërit por edhe ata që punojnë me ta .Dhe kur këta prindër nuk u
plotësojnë dëshirat (në pamundësi nga ana financiare) ata fillojnë të qajnë pasi janë mësuar
gjithmonë me plotësimin e tyre.

Një aspekt tjetër do të përmendja kur fëmija autik është i fiksuar pas një ushqimi jo të
shëndetshëm dhe ai e kërkon me cdo kusht , prindërit duke u gjendur të dobët para tyre bëjnë
plotësimin e dëshirës dhe fëmija e merr si metode pune të plotësimit të çdo dëshirë.

Si duhet të veprojmë për menaxhimin e këtyre sjelljeve në procesin mësimor?

Përcaktojmë dhe mbajmë gati objektin/lodrën/aktivitetin që fëmija pëlqen.

Ky objekt apo lodër përdoret vetëm kur je duke zhvilluar një aktivitet të cilin fëmija nuk e pëlqen
dhe në fund të saj ai ka të drejtë t’a marrë. Duhet pasur kujdes në rastet kur sjelljet agresive kanë
kurben më të lartë sepse këta fëmijë humbasin durimin dhe shpërthejnë në të qara ose të
përplasura duarsh e këmbësh.

Atëherë objekti , lodra duhet dhënë pasi fëmija të qetësohet sepse nëse i’a japim në momentin që
ai është i acararuar ai do t’a bëjë metodë pune të tijën dhe siç thotë populli “jua ka pirë
lëngun”.

Sipas parimit pedagogjik më shpejt mësohet një koncept i ri sesa korrigjohet një koncept i mësuar
gabim .”Të edukosh fëmijën me edukatën e pritjes është objektiv më vete mjaft i rëndësishëm”.

Nëse duam të arrijmë sukses në menaxhimin e sjelljes agresive atëherë duhet të punojmë me
rritjen e kohës së pritjes për marrjen e objektit/ushqimit /apo lodrës.

Për matjen e kohës në fillim fillojmë me sekonda deri sa arrijmë ne një minut , më pas duke
numëruar 10,20,30,………….

E gjitha kjo bëhet për te ulur agresivitetin dhe për të edukuar fëmijen me ndjenjën e te priturit
para marrjes së gjërave.Nëse fëmija shfaq një agresivitet të tepruar atëherë duhet të largojmë
objektet që ai mund t’i përdorë dhe mund të dëmtojë veten. Asnjë person tjetër nuk duhet të
afrohet dhe të ndërhyjë për t’a qetësuar fëmijën qoftë edhe prindërit, të tjerët duhet të qëndrojnë
indiferent sepse dy qëndrime të kundërta fëmijën e bëjnë konfuz.Asnjë person nuk duhet të
ndërhyjë për t’a marrë fëmijën me të mira apo duke e larguar nga vendi apo personi që ishte më
parë me të.

E gjitha kjo bëhet që fëmija të kuptojë se të gjithë njerëzit që janë rreth tij e duan atë njëlloj.

Përfundime

Përvoja si shkolla e jetës ka vërtetuar se :

Autizmi nuk është sëmundje, nuk shërohet dhe as nuk do të shërohet.Autizmi duhet të kuptohet.
Ashtu si çdo fenomen i veçantë autizmi nuk të lë të strukturosh disa gjëra në tru por nga ana tjetër
e lejon të shkëlqejë në fusha të tjera.Autizmi shpreh se sa emocionalë janë këta fëmijë dhe se sa
kujdes duhet pasur me ndjeshmërinë e tyre.

Megjithatë ky proces edhe pse në dukje i vështirë nuk mund të jetë i pamundur.

Mbajtja në aktivitet të plotë ul agresivitetin dhe ngre nivelin e inteligjences së tyre.

Tek autikët ka shumë rëndësi lidhja midis gjuhës së trupit dhe gjuhës së folur
Të dy këto elemente ngrenë lart kurbën e arritjes së tyre.Një individ që të punojë me fëmijët
autikë dhe të marrë suksesin maksimal duhet të karakterizohet nga një qetësi, durim, vullnet të
madh dhe t’i japë sa më shumë dashuri.

Herën tjetër kur në rrethin tuaj të të afërmve, në rrugë, në park apo edhe nëpërmjet mediave
online takoni apo krijoni kontakt me një autik përpiquni të kujtoni vetëm diçka:

Autizmi është të qënit ndryshe por ndryshimi jo domosdoshmërisht mund të ketë konotacion
negative.

Literatura
-revistapsikologji.com-të-punosh-me-fëmijë-autikë

-Blitz-al>artikuj-social-ai-nuk-është-autik

-www.ikub.al.femra

-Kulla.F,Remacka.L,Ndrio.M.Jam Mes Jush,I Ngjashem,I Ndryshem,I Barabartë….WORLD VISION

Вам также может понравиться